
Tek Real Madridi ka filluar të mendohet seriozisht për të ardhmen dhe një ndër periudhat më të rëndësishme do të jetë merkatoja e verës.
Pritet që nga ‘’ Santiago Bernabeu ‘’ të largohen Luka Modric, Nacho Fernandez dhe Lucas Vazquez, kontrata e të cilëve përfundon në 30 qershor dhe deri më tani nuk ka patur asnjë risi në lidhje me rinovimin.
Për kroatin mund të thuhet se ka lënë gjurmë tek ‘’ Galaktikët ‘’ , i cili falë përkushtimit ndër vite u shpall fitues i Topit të Artë në 2018-tën, një periudhë e suksesshme edhe për Kroacinë, kombëtare e cila mbërriti deri në finalen e Botërorit të zhvilluar në Rusi.
Ndërsa spanjolli nuk e ka bindur Carlo Ancelottin, pavarësisht dëmtimit të Alabas dhe Eder Militaos.
Të fitosh një vend titullari tek ‘’ Los Blancos ‘’ është shumë e vështirë, por duke qenë se nuk e ka të garantuar, zgjidhja më e mirë është largimi nga kryeqytetasit.
E njëjtë është situata edhe për Lucas Vazquezin. Edhe pse mesfushori ka rezultuar një lojtar shumë efektiv, i provuar në shumë raste edhe si mbrojtës i djathtë në mungesë të Dani Carvajal, e ardhmja e tij me shumë gjasa do të jetë larg ish fituesve të Champions Leagues, një ekip në të cilin duhet të japësh gjithmonë maksimumin në çdo seancë stërvitore dhe ndeshje për arsye se në çdo sezon konsiderohet pretendent për fitimin e titujve.



