
Pas 5 fitoreve radhazi në kampionat, ka ardhur edhe humbja e parë për Arsenalin. “Topçinjtë” janë mposhtur 3-1 në transfertë nga Manchester United, në një ndeshje me të vërtetë spektakolare.
Arsenal shënoi golin e parë me Martinelli në minutën e 12-të, por arbitri e anuloi për faull, pas rishikimit në VAR. Kjo i dha forcë vendasve, që u hodhën në sulm dhe gjetën golin e avantazhit në minutën e 35-të, me afrimin e bujshëm të kësaj vere, brazilianin Antony.
Pjesa e dytë nisi me skuadrën e Artetës në sulm dhe në minutën e 60-të, Saka vendosi baraspeshën, por vetëm 6 minuta më vonë, Rashford shënoi të dytin për skuadrën e tij.
Ishte përsëri i njëjti autor, i cili në minutën e 75-të, vulosi shifrat në 3-1. Pavarësisht humbjes, Arsenali mbetet në vendin e parë me 15 pikë, ndërsa Manchester United mban vendin e pestë me 12 pikë.



