Trajneri i Dinamo City, Dritan Mehmeti, foli për MCN TV pas humbjes me Vllazninë.
Mehmeti deklaroi se ndjen keqardhje për këtë humbje, ndërsa shtoi se deri në momentin e golit, ekipi i tij ishte dominues në fushë.
Ka keqardhje, por ky është futbolli. I paparashikueshëm. Ndeshjen e filluam shumë mirë, duhet të ishim më të kujdesshëm. Na ndëshkuan me një eurogol. Dua të përgëzoj të gjithë çunat, për mentalitetin e duhur sot. Ka keqardhje, sepse, nga dëshira e madhe, nxitimi të çon në gabim. Situatat duhet t’i zgjidhnim më shpejt. Pas tre ditësh, kemi një ndeshje shumë të rëndësishme. Më vjen keq edhe për kartonët, duhet të jemi më të kujdesshëm.
Deri në momentin e golit, ishim dominues. Skuadra nga besimi i tepërt, kishte një ngërç psikologjik pas pësimit të golit. Lojtarët pas golit, donin të shkonin sa më shpejt te porta e kundërshtarit. Duhet të ishim më të qetë te porta kundërshtare.
Jo vetëm Tirana, por edhe Laçi e Skënderbeu janë aty. Nuk duhet të merremi me skuadrat e tjera. Duhet të jemi më të qetë dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës. Duhet të jemi në ekuilibër.



