
Pas mbetjes jashtë kompeticioneve europiane , tek Juventusi ka filluar puna për rikthimin tek titujt në sezonin vijues. Pjesë e merkatos së ‘’ Zonjës së Vjetër ‘’ është bërë Harry Maguire, lojtar i cili faktikisht asnjëherë nuk ka bindur tek Manchester United dhe nuk bën më pjesë në planet e teknikut Erik Ten Hag për vijimësinë. Pas largimit të Bonuccit dhe Chiellinit, të cilët prej vitesh rezultuan një dyshe e pathyeshme në prapavijë, torinezët kanë hasur vështirësi dhe dyert e ‘’ Allianz Stadium ‘’ janë hapur për ishi-n e Leicesterit. Deri më tani nuk është përcaktuar asgjë në lidhje me shifrat e këtij transferimi të mundshëm të 30 vjeçarit në Serinë A, i cili gjatë eksperiencës me të ashtuquajturit ‘’ The Red Devilsat ‘’ është aktivizuar në 175 sfida, gjatë të cilave ka shënuar 5 gola dhe ka kontribuar me 7 asiste. Duhet theksuar se në disa raste Harry Maguire ka lënë për të dëshiruar me gabimet në prapavijë por gjithsesi vijon të jetë një mbrojtës shumë cilësor, i cili i kushtoi 85 milionë euro 20 herë kampionëve të Premier Leagues në të kaluarën .



