Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka mbetur i kënaqur me skuadrën e tij, pas fitores minimale në derbi ndaj Dinamos. Pas ndeshjes, për mediat Shehi tha se paraqitjet nuk do të jenë gjithmonë të njëjta, duke shtuar se pas pauzës së kampionatit, skuadra e tij nuk ka qenë në maksimum.
“Sigurisht që jemi të kënaqur për faktin se fituam një ndeshje që për mendimi tim është ndeshje e fortë. Pavarësisht pozicionit që ka Dinamo, të vë në vështirësi, me lojtarë që të godasin nga momenti në moment. Mendoj se e kemi interpretuar mirë, sidomos në fazën mbrojtëse, pak herë na rrezikuan. Ndoshta manovrën duhej ta kishim bërë pak më mirë. Por duhet të them se terreni na e vështirësi shumë sot, edhe koha bëri që jo vetëm ne, por edhe Dinamo të kishte vështirësi se fusha u ngri.
Sot e rëndësishme është që të ishim agresivë, të mirëvendosur, na mungoi në ndeshjen e parë dhe të shkonim te porta. Këto i kemi bërë më mirë se para një jave, ndoshta kontrolli i topit apo marrja e vendimeve ndikon pak. Po e rëndësishme është të dalim para portës e mbetet shumë pak për të bërë.
Performancat nuk do jenë gjithmonë njëlloj. Kush luan e kush drejton është i kënaqur që skuadra të mos dalë pa pikë, jemi në fazë ku çdo ekip i ka të vlefshme pikët e shton shumë vështirësinë. Këtë ndeshje isha i qetë, sepse kemi folur shumë dhe vetë ekipi në ditët e fundit tha “ profesor kemi folur shumë na e lë në dorë se do të japim gjithçka në fushë”.
Nuk mendoj se duhet të hyjmë te llogaritë, me Kukësin e kemi humbur për një episod, ne e kemi treguar që kur rrimë mbrapa kemi vështirësi, se na bën nervoz. Po ia lamë topin kundërshtarit, është ndeshje e fortë si këto që kemi kaluar. Nuk do të hyjmë në fazën e llogarisë për momentin ku jemi”, tha Shehi.



