Padeli, është sporti më i ri, i cili ka nisur të frekuentohet në Shqipëri. Në lidhje me këtë, në emisionin “SportZone”, në MCN TV, ka folur administratori i “Albania Padel Group”, Alessando Pallini. Ky i fundit është shprehur se padeli, është një sport, që mund të bëhet nga 6 vjeçarët, deri te 60 vjeçarët.
Ai u shpreh se kur erdhën në Shqipëri për këtë sport, në fillim ishin skeptikë, por tashmë janë rreth 600 frekuentues.
“Padel është një sport që ka shumë vite që është krijuar, por nuk ka qenë shumë i praktikuar. Është një sport që praktikohet nga 6 vjeçarët deri te 60 vjeçarët. Nuk është se kërkon ndonjë përgatitje fizike dhe çdo kush mund ta ushtrojë.
Në vitet e fundit është sporti që ka rritjen më të madhe. Është totalisht gjë tjetër nga tenisi. Fusha është më e vogël, je i detyruar të lush 2 kundër 2. Duhet të shfrytëzosh edhe pjesët që të rrethojnë. Nuk ka të bëjë fare me tenisin. Brenda turneut, është një rregull që të luhet 2 kundër 2. Detaji që e bën ndryshe nga tenisi, është fakti se nuk duhen muaj për ta mësuar këtë lojë. Pas 15 ose 20 minutash, mund të ndihesh kampion. Është një sport që mësohet shpejt.
Në Amerikën e Jugut ku e ka origjinën ky sport, frekuentohet më shumë, si edhe në Spanjë. Kemi menduar që ta aplikojmë si sport edhe në Shqipëri. Këtu sporti është shumë i dashur dhe i frekuentuar. Më shumë, shqiptarët i duan gjërat e reja dhe risitë. Pamë që Shqipëria ishte vendi ideal për të zhvilluar një sport të tillë.
Kemi qenë pak skeptikë në fillim. Natyrisht në një muaj e gjysmë, kemi arritur që këtë ta frekuentojnë mbi 600 persona në Shqipëri. Ajo që po shikojmë, është se të gjithë ata lojtarë që kanë luajtur sporte të tjera, kanë arritur ta përgjysmojnë axhendën dhe ta frekuentojnë këtë sport.”, u shpreh Pallini.



