
Cmimi i përcaktuar nga Atletico Madridi për të lënë përfundimisht të lirë Alvaro Moratan vazhdon të konsiderohet paksa i lartë nga Juventusi por kjo histori nuk i ka vënë barrierën bardhezinvje për të negociuar deri në momentin e fundit për ta patur përfundimisht në organikën e tyre . Rikuperimi i versionit më të mirë nga spanjolli mbetet kryefjalë në kampin e torinezëve . Klauzola e praktikuar në këtë rast ishte huazimi i goalshënuesit nga ‘’ Zonja e Vjetër ‘’ për shifrën e 10 milionë eurove me detyrimin e derdhjes së 45 milionë eurove në arkat e ‘’ Los Colchoneros ‘’ për të ngelur përfundimisht me të drejtat e madrilenit.
Në paktin ndërmjet palëve ekzistonte një tjetër term që kishte të bënte drejtpërdrejt me derdhjen e 10 milionë eurove të tjera për një huazim të dytë për periudhën 1 vjeçare, por në këtë rast shifra përfundimtare për ta transferuar një herë e mirë në ‘’ Allianz Stadium ‘’ do të ishte 35 milionë euro. Sipas portalit prestigjoz Marca dominuesit e Italisë në 9 vitet e fundit nuk janë shprehur të gatshëm për pranimin e saj dhe pretendojnë uljen e shifrës nga ‘’ Los Rojiblancos ‘’ . Një histori e tillë evidenton një problematikë të dukshme sepse kthimi i mundshëm i 28 vjeçarit në ‘’ Wanda Metropolitano ‘’ do të nënkuptonte se Atletico Madridit do ti duhej të derdhte në xhepat e Alvaro Morata-s një shifër që do të tejkalonte limitin e pagave që kanë përcaktuar drejtuesit e gjigandëve të Spanjës .
Largimi i Alvaro Moratas verën e kaluar i krijoi mundësinë presidencës me në krye Enrique Cerezo-n për të fuqizuar ekipin me lojtarë të njohur si Luis Suarez , Geoffrey Kondogbia apo Lucas Torreira , komponentë që i kanë shkaktuar një impakt pozitiv funksionimit total të skuadrës . 37 ndeshjet e luajtura në të cilat ka shënuar 17 herë dhe ka asistuar me 9 raste për shokët e tij konsiderohen si statistika pozitive dhe e krijojnë terrenin e përshtatshëm për të vijuar pa ndalim negociatat deri në përfundimin me sukses të tyre .



