
Në prag të sfidës së nesërme të Partizanit ndaj Bylisit, në konferencë para mediave ka dalë trajneri i të kuqve, Ilir Daja. Tekniku kryeqytetas, nuk i del inati me vendimet e arbitrave kundër Partizanit në këtë sezon, duke thënë se skuadra e tij është dëmtuar shumë në këtë drejtim. Në fjalët e tij, Daja tha se Partizani nesër do të luajë me dinjitet dhe do respektojë garën, por shtoi se nuk ka ndonjë shpresë për titullin kampion, pasi sipas tij kjo është vendosur më përpara.
“Jo vetëm në këtë ndeshje, por në mënyrë permanente, jemi goditur sistematikisht. Tani kur po nisesha për konferencën për shtyp, më erdhi në email-in, vendimet e Komisionit të Disiplinës. Si duket kanë menduar të ma dërgojnë mua se ndoshta mund të mos hap gojën. Nuk është vetëm një rast i diskutueshëm që ka ndodhur kundër Partizanit. Nëse është një rast, është krejt normale, pasi të gjithë jemi njerëz dhe gabojmë. Është një situatë që na ndodh në vijueshmëri dhe goditja finale u dha në finish, për të na nxjerrë jashtë garës.
Kam dëgjuar opinionistë dhe specialistë të Vllaznisë. Nuk kam asgjë me Vllazninë, sepse penalltinë nuk e dha Vllaznia. Shkodranët kanë zhvilluar një kampionat të shkëlqyer dhe e meritojnë atë që kanë arritur. Kjo që po na ndodh ne, nesër mund t’i ndodhë Vllaznisë. Nuk ka lidhje me Jorgjin, nëse nuk do të ishte ai, do të ishte një Jorgji tjetër. Në 4 ndeshjet e fundit, në 3 na ka gjykuar Hamiti. Gjatë gjithë kampionatit, në gjykimin e Hamitit Partizani nuk ka fituar asnjëherë, për të vazhduar më pas me Ferhatin me shokë, që të gjithë e panë se çfarë kërkuan të bëjnë. Mendoj se në rast se kjo nuk do të ndodhte ndaj Vllaznisë të premten, javën e fundit në Ballsh do ishte skëterrë.
Do shkojmë për ta luajtur këtë ndeshje të fundit me dinjitet. Titulli? Natyrisht nuk do të shkojmë duke pretenduar se do të luajmë me mullinjtë e erës, sepse besoj që në këtë drejtim gjithçka është mbyllur. Ne megjithatë do të respektojmë kampionatin dhe veten.
Nuk po them për një situatë që u akordua penallti. Është skandaloze që arbitri kryesor është shumë afër Belicës që ndali topin dhe penalltinë e jep anësori ose ai pas porte që janë shumë larg aksionit. Janë shumë gola të mohuar në vazhdimësi. Kjo tregon që unë nuk po flas vetëm për një rast, por për diçka që është në vazhdimësi.”, tha Daja në fjalët e tij.



