
Endri Çekiçi, nuk është më një lojtar i skuadrës turke të Konyaspor. Mesfushori i Shqipërisë, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, njofton largimin nga skuadra e njohur. Në postimin e tij, Çekiçi falënderon klubin për dy vitet e kaluar aty, ndërsa iu uron suksese për të ardhmen. “Dy vite të mrekullueshme bashkë. Faleminderit familja e madhe e Konyaspor. Kemi kaluar mes momenteve të mira dhe të këqija, por jam ndjerë gjithmonë si në shtëpi. Kam njohur shumë njerëz të mirë dhe kam bërë disa miq të mirë, kemi krijuar kaq shumë kujtime. Ju uroj të gjithëve më të mirën dhe sa më shumë sukses në të ardhmen”, shkruan lojtari. Tashmë Çekiçi është lojtar i lirë dhe në kërkim të një skuadre të re për karrierën e tij.



