Tirana ka fituar supersfidën e javës së 18-të në Superiore ndaj Kukësit me shifrat e thella 4-0. Një fitore shumë e rëndësishme për bardheblutë, që shkëputen në krye të renditjes me 40 pikë, 9 më shumë se ndjekësit e Laçit dhe marshojnë të qetë drejt titullit kampion.
Ndeshja nisi që në fillim me spektakël, ku në minutën e 3-të, Taulant Seferi gjeti rrugën e rrjetës, por goli i tij u anulua për pozicion jashtë loje.
Përsëri Tirana shfaqet më kërkuese dhe i afrohet golit në minutën e 31, por gjuajtja e Xhixhës, ndalet nga Xhika. Vetëm dy minuta më vonë, ishte përsëri i njëjti duel, por përsëri Xhika del fitimtar
Kukësi provon të reagojë me Mustën, por ky i fundit ndalet nga Bekaj në minutën e 34. Pas disa tentativave, më në fund ndeshja zhbllokohet. Në minutën e 38-të, Seferi përfiton nga një asist i Hoxhallarit dhe një hap larg portës, nuk e ka të vështirë ta dërgojë topin në rrjetë.
Verilindorët i afrohen golit të barazimit, por Ndreca në dy raste shikon që topi të pritet nga portieri i Tiranës.
Në minutën e 44-t, Redon Xhixha dyfishon shifrat për Tiranën, teksa pas një kundërsulmi, ia del ta mposhtë portierin Xhika.
Pjesa e dytë nisi aty ku u mbyll e para, me Tiranën në sulm. Në minutën e 52, Seferi gjen golin e dytë personal, por përsëri anulohet për pozicion jashtë loje.
Në minutën e 64-t, ishte përsëri Xhixha, i cili pas një kundërsulmi, ia del ta dërgojë topin në rrjetë.
Për të vulosur shifrat në 4-0, mendoi Taulant Seferi, i cili në minutat e fundit, shënoi edhe golin e dytë personal.
Javën e ardhshme, Tirana pret në shtëpi Skënderbeun, ndërsa Kukësi përballet me Egnatian.



