
Fituesit e finales së Kupës së Botës, që do të zhvillohet të dielën mes Spanjës dhe Argjentinës, do të marrin, përveç trofeut dhe medaljeve të arta, edhe unaza kampionësh.
FIFA e ka cilësuar këtë si një risi, duke sjellë për herë të parë në një turne të saj një traditë të njohur të sporteve amerikane, transmeton Reuters.
Sipas FIFA-s, 30 unaza të personalizuara do t’i dorëzohen ekipit fitues pas finales që do të luhet në stadiumin "Neë York Neë Jersey". Menjëherë pas ndeshjes, kapiteni dhe trajneri do të marrin versione të përkohshme të unazave, ndërsa më pas ato do të personalizohen sipas identitetit të skuadrës kampione dhe do t’u dorëzohen zyrtarisht të gjithë fituesve.
Në njërën anë të unazës do të jetë i gdhendur trofeu i Kupës së Botës, ndërsa në anën tjetër do të vendosen elemente dhe detaje që identifikojnë ekipin kampion.
Unazat e lojtarëve do të jenë pjesë e një edicioni të kufizuar prej 2 026 copësh. Nga këto, 30 do t’i përkasin ekipit fitues, ndërsa pjesa tjetër do të dalë në shitje për tifozët në mbarë botën si produkte zyrtare të licencuara nga FIFA.
Unazat e kampionatit janë një traditë e hershme në sportet profesioniste të Amerikës së Veriut, si NFL, NBA, Major League Baseball dhe NHL, por kjo është hera e parë që ato jepen në një kompeticion të organizuar nga FIFA.
Risia vjen në një turne ku FIFA ka eksperimentuar edhe me elemente të tjera të frymëzuara nga sporti amerikan.
Finalja e së dielës do të shoqërohet me një shfaqje artistike gjatë pushimit mes pjesëve, një format i ngjashëm me spektaklin e Super Boël.
Po ashtu, gjatë turneut janë zbatuar pushime të detyrueshme për hidratim, të cilat FIFA i ka justifikuar me temperaturat e larta dhe lagështinë, në funksion të mbrojtjes së shëndetit të lojtarëve.
Megjithatë, këto ndërprerje kanë ngjallur kritika nga trajnerë, futbollistë dhe tifozë, të cilët vlerësojnë se ato prishin ritmin e lojës dhe krijojnë mundësi shtesë për ndërhyrje taktike.
FIFA, nga ana e saj, ka mohuar se këto pushime janë vendosur për arsye komerciale ose reklamash.



