Vllaznia do të luajë ditën e nesërme ndeshjen e kthimit ndaj boshnjakëve të Siroki Brijeg, në raundin e parë në Conference League. Shkodranët do të kërkojnë me çdo kusht përmbysjen e rezultatit për të vazhduar më tej, pavarësisht se në ndeshjen e parë u mposhtën me rezultatin 3-1. Në prag të kësaj sfide, para mediave ka folur zv/trajneri i Vllaznisë, Elvis Plori i cili u shpreh se skuadra do mundohet të shënojë sa më shpejt dhe më pas do e ketë më te lehtë. Gjithashtu ai shtoi se duhet të jenë të kujdesshëm prapa, pasi në rast se pësojnë gol, atëherë gjithçka bëhet akoma edhe më e vështirë.
“Ndeshje e shumëpritur, jo vetëm për ne por për gjithë opinionin shkodran. Ka 10 vite që Vllaznia nuk merr pjesë në Europë, ndaj edhe për këtë arsye sfida pritet me padurim. Një tjetër arsye është se u bë gati 2 vjet pa tifozë dhe tani jemi në një kapacitet të limituar, por ka adrenalinë dhe atmosferë. Përmbysja është detyrë e vështirë, mendoj se moralisht skuadra është mirë dhe rezultati i ndeshjes së parë në ndërgjegjen e gjithsecilit e them se rezultati nuk ishte ai që meritonim.
E shoh te të gjithë ne se ka një optimizëm që të mbush me shpresë. Nga ana tekniko-taktike, aq sa duhet të jemi kërkues dhe agresivë, aq duhet të jemi të kujdesshëm pas për të mos pësuar sepse marrim goditje nga ana matematikore dhe psikologjike. Të jemi agresiv dhe racional.
Shkodra ka qenë gjithmonë një armë e fortë për çdo sportist që ka veshur këtë fanellë. Tifozët do jenë një armë më shumë. Brdaric mungon por do kemi lidhje dhe këshillat e tij janë të vlefshme, kemi bashkëpunim perfekt. Nëse shënojmë në momentet e para do e kemi më të lehtë.
Latifi nuk do jetë në fushë nga minuta e parë. Është një sportist që i dimë vlerat. Ka një dëshirë të madhe për të punuar, do ketë mundësi për minuta në varësi sesi do shkojë ndeshja.
Siroki ka një vendosje taktike shumë të mirë. Kanë edhe shpejtësi në dalje. Është e sikletshme sepse nëse e sulmojmë me forca duhet të jemi të kujdesshëm pas.
Mungesa e Krymit prish punë shumë, do mundohemi të përshtatim Jonuzin dhe Kalezic që t’i bëjnë ballë ndeshjes. Gjykimi? Nuk e gjykoj veten të aftë të bëj këtë gjë pa nisur ndeshja. Në çdo gjykim nga arbitrat e huaj s’ka pasur protesta siç bëmë ne atje, ishte rast unik ai arbitër dhe shpresoj mos ndodhë më ajo pjesë”, u shpreh Plori.



