
Ilda Lelo është shpallur së fundmi nënkampione bote në Kickbox, në World Championship 2025 që u zhvillua në Gjermani.
Në këtë kompeticion, ku morën pjesë 2 500 sportistë nga 50 shtete, Lelo arriti të fitojë medaljen e argjendtë në kategorinë nën 65 kg.
E ftuar në programin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, ajo ndau emocionet e garës dhe të fitores së shumëpritur, duke treguar edhe se si nisi pasioni i saj për këtë sport.
Pikënisja për mua ka qenë ndryshe. Gjithmonë kam pasur pasion për sportin, sepse të jep kënaqësinë të ndihesh mirë me veten.
Ndjesinë më të fortë ma dha pikërisht kickboxi, dhe suksesi erdhi hap pas hapi.
Kam nisur të merret me kickbox në moshën 19-vjeçare, ndonëse më parë isha angazhuar në sporte të tjera.
E nisa vonë, por gjithmonë kam qenë aktive. Në fillim prindërit dhe miqtë e shihnin me habi, nuk e mendonin se do ta merrja kaq seriozisht.
Kur fillova të marr pjesë në gara e kampionate, më pyesnin nëse do e lija. Por unë vazhdova.
Në stërvitje punoj shpesh me djemtë, sepse është e vështirë të gjesh vajza që merren me këtë sport.
Fitorja në World Championship 2025 që u zhvillua në Gjermani, kishte një domethënie të veçantë për Lelon, pasi kundërshtarja e saj ishte pikërisht ajo që e kishte mundur vitin e kaluar.
U ndjeva shumë mirë me veten, sepse punova fort dhe dhashë maksimumin tim.
Në fund, sfida e vërtetë është ajo me veten, pastaj vjen ajo me kundërshtaren.
Edhe pse gjyqtarët më vlerësuan si nënkampione, për mua fitorja ishte e plotë, sepse ia dola në betejën time personale.



