Boksieri, Shkëlqim Bega ishte i ftuari i radhës në emisionin “SportZone” në MCN TV. Bega u shpreh se boksin e ka pasur pasion që i vogël, por në Shqipëri, kjo sipas tij do të mbetej vetëm një ëndërr, pasi nuk janë kushtet. Më tej ai zbuloi se plani i tij është të ketë një palestër të madhe në Shqipëri, ku të stërvisë fëmijët drejt boksit profesionit. Teksa foli për sherrin në Shkodër, Bega tha se u mërzit shumë nga ngjarjet që pa.
“Ndryshe nga boksierët e tjerë, unë kam historinë time që ka qenë e vështirë të tregohet. Kur kam qenë iu vogël kam qenë i shëndoshë.
Kam dalë disa hera kampion, në Shqipëri por edhe në Ballkan. Nuk e mendoja kurrë se nuk do ia dilja. Duke u rritur, e shikoja se ëndrrat e mia këtu në Shqipëri do digjeshin. Fati im ishte që unë dola jashtë dhe me njohjet e mia ia dola.
Problemet këtu në Shqipëri, fillojnë nga palestrat, ushqimi, deri te rrogat. Unë kam qenë në Shqipëri me klubin Tirana. Prej 2 vitesh jam pjesë e klubit Argau në Zvicër. Hera e fundit që kam bërë një ndeshje, ka qenë para pandemisë ku pësova një dëmtim në qafë.
Duhet të kuptojmë realitetin. Ne e dimë vlerën tonë, nuk mjafton vetëm zemra për të dalë në ring, duhet edhe stërvitja.
Motivi dhe forca ime ka qenë babai. Çdo sportist e do një shtysë. Nëse do kisha ndenjur në Shqipëri, boksin do e kisha vetëm si ëndërr. Arritja më e lartë ka qenë në turneun ballkanik në Bosnjë, ku dola kampion. Kjo ishte hera e fundit që përfaqësova Shqipërinë. Unë i dhashë medalje Shqipërisë, por Shqipëria çfarë më dha mua?! Asgjë.
Zvicra nuk është për sporte të rënda, por aty investojnë. Tani që jam edhe trajner, dua të kem edhe një palestrën time për të punuar. Unë e kam parë që këtë që dua të bëj tani, e kanë bërë edhe vëllezërit Keta. Unë jam optimist që Shqipëria do të bëhet dhe fëmijët do të vijnë në stërvitje. Nëse do të arrihet kjo, do të jetë gjysma e jetës sime.
Me sherrin që ndodhi në Shkodër u ndjeva shumë keq. Pas 2 ditëve takova profesorin tim dhe e pashë që ishte demoralizuar komplet. Këtu priten ëndrrat te ju shqiptarët.”, u shpreh Bega.



