
Pas Joel Robles që mbron ngjyrat e Real Betis , Atletico Madridi nuk e ka mbyllur me kaq por është përqëndruar edhe tek gardiani i Borussia Dortmundit Roman Burki kontrata e të cilit përfundon në 30 qershorin e 2023- shit. ‘’ Los Colchoneros ‘’ gjithmonë kanë kërkuar një portier me eksperiencë për të shoqëruar Jan Oblak dhe sipas As zviceriani është një tjetër alternativë e përshtatshme për kryeqytetasit .
Madrilenët po kërkojnë një opsion jo shumë të kushtueshëm dhe 30 vjeçari mbetet një preferencë e tyre për arsye se vlera e kartonit varion nga 5-7 milionë euro dhe për më tepër rroga e tij nuk i kalon 2.5 milionë eurot në sezon , shifër lehtësisht e përballueshme nga drejtuesit e ‘’ Los Rojiblancos ‘’.
Prestigjozja spanjolle ka afirmuar se negociatat ndërmjet Atleticos dhe ‘’ Verdhezinjve ‘’ kanë startuar por skuadra e Diego Simeones është e përqëndruar maksimalisht edhe tek zgjidhja e situatës së portierit të dytë Ivo Grbic i cili duket se i ka orët e numëruara në ‘’ Wanda Metropolitano ‘’ dhe të zotët e shtëpisë duan ta vënë në dispozicion shifrën për largimin e kroatit për të siguruar blerjen e gardianit të gjermanëve .
Merkatoja e Atleticos sa vjen e bëhet edhe më e vrullshme sepse ashtu siç dihet do të jetë një ndër skuadrat që do ta fillojë sezonin e ri me peshën e fitimit të Primera Division , rrugë e cila pa dyshim parashikohet shumë e ndërlikuar për shkak të kundërshtarëve si Real Madridi dhe Barcelona pa përjashtuar Uefa Champions Leaguen , kompeticion që i ka shpëtuar dy herë nga duart nxënësve të ‘’ El Cholo ‘’ Simeones .



