
Lista e Kombëtares shqiptare, për dy miqësoret me Italinë dhe Armeninë, ka pësuar ndryshime.
Stafi teknik ka marrë përgjigje negative nga klubi i Atalantas për Berat Gjimshitin dhe nga Rayo Vallecano për Ivan Balliun me të dy lojtarët që do të mungojnë në këto miqësore. Që të dy kanë pasur probleme fizike kohët e fundit dhe klubet shpresojnë të shfrytëzojnë këtë periudhë pauze që ata të rikuperohen plotësisht dhe të mos rrezikojnë dëmtime të mëtejshme.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se sulmuesit Armando Broja dhe Kristal Abazaj kanë mbërritur në mesditë në grumbullim dhe janë konsultuar menjëherë me stafin mjekësor për shkak të disa shqetësimeve muskulore. Të dy lojtarët kanë bërë vetëm pak stërvitje të diferencuar dhe gjendja e tyre fizike mbetet për t’u vlerësuar në vazhdimësi.
Duke parë situatën me dëmtimet, trajneri Reja ka vendosur të thërrasë dy lojtarët e Partizanit, Tedi Cara dhe Xhuliano Skuka me sulmuesit që mbërrijnë gjatë orëve të mbrëmjes në qendrën stërvitore të Kombëtares, së bashku me Andi Hadrojn dhe Eneo Bitrin.



