
Portieri i Real Madrid, Thibaut Courtois, u rendit në vendin e shtatë në renditjen e Topit të Artë, të cilin e fitoi shoku i skuadrës, Karim Benzema.
Belgu nuk u duk i lumtur për vendin në renditje, duke thënë se ka bërë shumë mirë me Real Madrid, duke fituar gjithçka dhe meritonte më shumë.
Megjithatë, Courtois ishte i qartë kur tha se është e pamundur që trofeu i Topit të Artë të fitohet nga një portier, ndërsa shtoi se në futboll më shumë rëndësi kanë golat.
Është e pamundur që një portier të fitojë Topin e Artë. Nuk besoj se dikush mund të bëjë më shumë se çfarë bëra unë në sezonin e fundit, por duke parë logjikën e votimit e dija se nuk mund të ngjitesha shumë lart.
Në futboll ka më shumë rëndësi shënimi i golave sesa pritjet dhe shpëtimi i golave. E njëjta gjë vlen edhe për mbrojtësit. Shihni renditjen e dhjetë të parëve, nuk ka asnjë mbrojtës… Vitin e kaluar bëra pritje pafund, fitova titullin në Spanjë dhe Champions League. Nëse do të ishte zhvilluar Kupa e Botës në mes të sezonit, ndoshta mund të renditesha në podium.



