Andi Hadroj u bashkua me Partizanin në merkaton e janarit dhe do të kërkojë të jetë protagonist me të kuqtë. Mbrojtësi ka folur për mediat ditën e sotme, ku është shprehur se synimi i skuadrës tani është të kapë Europën. Ai shprehet besimplotë, që skuadra do të arrijë aty ku e meriton.
“Të jesh te Partizani është ndjesi e veçantë, sepse është nga klubet më të mëdha. Çunat dhe stafi më kanë pritur shumë mirë, jam ndier shumë mirë. Grupi më është dukur i mbledhur. Rezultatet nuk kanë qenë pozitive, por besoj se do të shkojmë aty ku e meritojmë.
Partizani ka gjithmonë synime vendet e para, të kapë Europën. Pozicioni ku jemi nuk i takon Partizanit. Kemi dhënë maksimumin, por ndoshta nuk ka qenë e mjaftueshme. Shpresojmë të marrim fitoren me Teutën dhe të ngjitemi ku na takon. Grupi është i mirë, ekipi ka cilësi. Do të mundohemi të bëjmë më të mirën.
Trajneri ka punuar shumë mirë, na ka frymëzuar dhe dhënë moral. Edhe ne, futbollistët, duhet të japim më shumë. Nga kjo ndeshje besoj se do të shihni një Partizan tjetër. Edhe Teuta ka bërë blerje, ka një sulm të mirë, futbollistë që luajnë prej dy vitesh bashkë. Të ndalim sulmuesit e tyre dhe pastaj të shohim çfarë do të bëjmë për të fituar”, u shpreh Hadroj.



