Ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata thotë se për të pasur sukses Shqipëria në futboll, duhet të jemi një komb dhe shtet i suksesshëm. Më tej ai tha se ekipi nuk duhet të mendojë për kualifikimin, por për të marrë një rezultat pozitiv. Sipas Vatës, Shqipëria nuk duhet të luajë me presion në dy ndeshjet e radhës, ndaj Hungarisë dhe Polonisë.
“Kombëtarja është duke marrë formë të mirë, është ende në ndërtim. Nuk mund të themi se jemi gati për Botërorin. Nuk ka një ekip që luan në Botëror dhe pëson 4 gola nga rivali direkt si Polonia.
Balliu flitet që do të jetë titullar. Duke e analizuar ndeshjen në anën taktike, shikoj që shumë futbollista sa vijnë futen titullarë, si rasti i Bajramit. Kemi shumë futbollistë që nuk aktivizohen rregullisht dhe forma e tyre nuk do të jetë optimale. Nuk duhet të mendojmë kualifikimin. Nëse presioni largohet, do të kemi shanse. Të mendojmë për një rezultat pozitiv. Të mos i mendojmë si ndeshje jetë a vdekje, pasi skuadra me eksperiencë si Polonia të ndëshkojnë.
Sot shqiptarët kanë lindur në Europë dhe kanë pasur mundësinë të ndërtojnë një karrierë më lehtë. Unë mendoj se çdo gjë ka të bëjë me opinionin e përgjithshëm. Nuk jemi komb i zhvilluar. Për të qenë i suksesshëm, duhet të kesh një komb dhe shtet të suksesshëm. Kemi probleme për të rregulluar bazat e shtetit. Kultura e punës në Shqipëri me atë në Poloni, është ndryshe. Tradita jonë me ata polakë është ndryshe. Nuk është e lehtë për të arritur në ato nivele si Lewandowski. Ndoshta nuk dimë të ndërtojmë lojtarë si ai. Kemi lojtarë të mirë, por jo yje që marrin pjesë në Champions League.
Lojtarët tanë nuk janë të identifikuar lider në klubet ku luajnë. Jam i sigurt që ekipi kombëtar nëse është në formën më të mirë, mund të dalë me 6 pikë, por mund të dalë me 0. Polonia dhe Anglia janë favoritë në këtë grup. Unë mendoj që Shqipëria nuk udhët të vihet në presion, që ne duhet të dalim në ‘play-off’. Nëse fitojmë dy ndeshje të tilla, vlera dhe imazhi i Shqipërisë do të rritet automatikisht. Ne e treguam edhe në Poloni, se mund t’i vendosim në presion. Edhe vetë trajneri polak ishte në situatë stresuese, pasi nuk arrinte ta kuptonte si Shqipëria po e kontrollonte lojën.
Por a jemi ne të zotë ta bëjmë atë lojë konstante?! Nuk besoj! Këta futbollistë dinë të arrijnë suksesin. Reja të gjejë modulin dhe 11-shen titullare. Nuk e kemi ende një formacion stabël. Broja është një lojtar me të ardhme të madhe dhe duhet menaxhuar mirë. Ka punuar shumë për të mbërritur deri në ato nivele. Duhen menaxhuar situatat me qetësi. Ne jemi mësuar të kemi krisje si komb. Këto nuk i shërbejnë qëllimit të suksesit. Të gjithë futbollistët të jenë të lumtur që vijnë te Shqipëria dhe të luajnë më të mirët.”, u shpreh Vata.



