
Mbrojtësi Jorgo Pëllumbi ishte lojtari i radhës nga Shpresat, që doli në konferencë për mediat. Në fjalët e tij, para dy ndeshjeve kualifikuese, mbrojtësi u shpreh se e gjithë vëmendja tani është te sfida me Slloveninë, më vonë do të mendohet për Kosovën.
“Kemi disa ditë stërvitje në Durrës. E shikoj grupin shumë mirë, jemi të gjithë në formë dhe nuk kemi dëmtime.
Kemi një ndeshje shumë të vështirë. Pak a shumë e njohim Slloveninë pasi luajtëm para një muaji këtu dhe besoj se do të jetë akoma më e vështirë se këtu. Por besojmë dhe do shkojmë të marrim tre pikëshin.
Për momentin po studiojmë ndeshjen me Slloveninë, sepse ajo është e para dhe më e rëndësishmja për momentin. Kosovën e njohim nga viti i kaluar që kemi luajtur, e dimë që është një kundërshtar i fortë. Por në fillim do të fokusohemi te ndeshja me Slloveninë, pastaj mendojmë për Kosovën
Në katër ndeshje kemi marrë 9 pikë. Kemi bërë një fillim shumë të mirë, mundësitë janë për vendin e dytë. Kemi lojtarë shumë të mirë në grup dhe besoj se është e arritshme, por do të shohim ndeshje pas ndeshje.
Me klubin jam shumë mirë. Po luftojmë që të arrijmë vendin e parë që të kthehemi në ligën e parë në Kroaci. Ndërsa me Kombëtaren qëllimi është gjithmonë që të kualifikohemi.”, u shpreh Pëllumbi.



