
Real Madridi duket se nuk do të jetë asnjëherë i kënaqur deri në momentin që Kylian Mbappe do të zbarkojë në ‘’ Santiago Bernabeu ‘’ . Kjo pistë sa vjen edhe merr më tepër rëndësi me kalimin e ditëve dhe kryeqytetasit do të shfrytëzojnë të gjithë potencialin e tyre në merkaton e dimrit , periudhë në të cilën Parisi do ti humbasë krejtësisht të drejtat mbi francezin . Përgatitjet kanë filluar dhe sipas Sport spanjollët kanë menduar një ofertë prej 30 milionë eurosh në sezon dhe një kontratë 6 vjeçare për yllin e kombëtares ‘’ Trikolor ‘’ .
Ky plan tregon qartësisht dëshirën e madhe të Florentino Perez për të pasuruar ekipin e drejtuar nga Carlo Ancelotti me një lojtar që ka arritur të bëjë diferencën gjatë viteve të fundit . Megjithatë gjithçka do të varet nga negociatat ndërmjet palëve sepse nëse do të ketë nevojë për rritjen e ofertës, presidenti i madrilenëve mendohet se do të jetë mjaft dorëlëshuar për këtë lojtar për të cilin ‘’ Galaktikët ‘’ luftojnë prej disa sezonesh .
Në lidhje me hapin vijues , 22 vjeçari e ka shprehur në shume raste se një ditë dëshiron të veshë fanellën e ‘’ Los Blancos ‘’ dhe fakti i refuzimit të rinovimit të kontratës së re me ‘’ Les Pariziens ‘’ nga e cila do të përfitonte 50 milionë euro në sezon ia rrit shpresat Real Madridit për ta transferuar kampionin në fuqi të botës .
Sipas parashikimeve të specialistëve situata është qartësisht në favor të Real Madridit i cili ështe drejt finalizimit të një operacioni shumë të rëndësishëm që do t’ia shtonte shanset për tu rikthyer në kohët e arta .



