Thiago Silva ka rritur edhe më shumë spekulimet për një kalim të mundshëm të Neymarit në Paris Saint Germain.
Braziliani i Barcelonës, Neymar, mund të transferohet në Francë te PSG-ja. Klubi francez është i gatshëm të paguajë klauzolën e 25 vjeçarit, që është 222 milionë euro.
Spekulimet i ka rritur edhe më shumë kapiteni i PSG-së, Thiago Silva, i cili tha se shumë shpejt do të flasin e gjithë bota për atë që do të ndodhë.
“Neymar në PSG? Të gjithë do të flasin për këtë shumë shpejt”, u përgjigj shkurt Silva, duke mos treguar për çka e kishte fjalën, por besohet se dha sinjale se asi i Barcelonës është rrugës për t’u transferuar në PSG.
Se Neymari nuk ndihet rehat u tregua edhe në stërvitjen e së premtes ku braziliani u përlesh me Semedon dhe më pas la kampin stërvitor.
Neymar u transferua në “Camp Nou” në vitin 2013. Ai deri më tani ka shënuar 105 gola në 186 paraqitje në të gjitha garat.



