Kampionati i Superiores do të rifillojë më 3 qershor. Vendimi është marrë nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, bashkë me presidentet e klubeve të Superiores në takimin e zhvilluar të mërkurën në ambientet e reja të federates, duke i dhënë fund kështu dilemave në lidhje me mbylljen në fushë apo në tavolinë të këtij kampionati.
Ishte presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, i cili e konfirmoi këtë datë menjëherë pas takimit me kolegët e tij dhe drejtuesit e FSHF-së.
"Them se është e vështirë që në Shqipëri të plotësohet protokolli, por do të mundohemi. Do të ketë kosto më të madhe, por shpresojmë ta realizojmë. Nuk është e vonuar data 3 qershor, nuk mund të fillonte më shpejt. Personalisht, do të doja të ndërpritej fare, por UEFA nuk e lejon këtë gjë, sepse digjen klubet që shkojnë në kupat e Europës. Partizani është jashtë Europës për momentin, por kushtet e Shqipërisë janë të vështira, ndaj opinioni im ishte që kampionati të mos vazhdonte”, tha presidenti i Partizanit.
Mbetet të saktësohet tani kur qeveria do të lejojë stërvitjen e ekipeve, ndërsa ajo individuale është vendosur të nisë më 18 maj.
Klubet e Superiores do të kenë rreth 15 ditë kohë që të përgatiten, një kohë e limituar, duke pasur parasysh ndërprerjen e gjatë.
Nga Superiorja kanë mbetur edhe 10 javë deri në fund të kampionatit. Tirana kryeson bindshëm me 53 pikë, vetëm 9 pikë para Kukësit të vendit të dytë.



