Argjentina, kampione në fuqi, do të ngrejë siparin e Copa America, duke u përballur me Kanadanë, në ndeshjen që do të transmetohet në MCN TV, që ka të drejtën e transmetimit për këtë turne.
Në prag të sfidës hapëse, kapiteni argjentinas, Leo Messi, deklaroi se kombëtarja e tij, është favorite për të marrë trofeun.
Unë gjithmonë kam thënë dhe përsëris se Argjentina është favoritja. Ne jemi gjithmonë më të mirët, por nuk duhet t’i marrim gjërat si të mirëqena, sepse kështu kemi pësuar shumë goditje deri më sot.
Mund të themi se jemi më të mirët sepse jemi kampionët në fuqi të botës, por kjo nuk do të thotë se do ta fitojmë këtë Copa America me lehtësi.
Messi, zbuloi gjithashtu edhe disa kombëtare të tjera, që sipas tij janë favorite.

Ekuadori ka një brez shumë të mirë, të cilët dinë çfarë duan dhe janë intensivë. Gjithashtu aty janë edhe Kolumbia, Uruguai dhe Brazili në grupin e favoritëve.
Kjo është arsyeja pse unë them se do të jetë një Copa America shumë, shumë e luftuar. Grupi e di këtë dhe është i vetëdijshëm se ne do të duhet të japim më të mirën tonë dhe akoma më shumë për të fituar përsëri.
Ndeshja mes Argjentinës dhe Kanadasë, do të luhet të premten, në orën 02:00.



