Vllaznia sfidon ditën e nesërme Skënderbeun në shtëpi, në një ndeshje ku shkodranët do të kërkojnë me çdo kusht fitoren. Në prag të kësaj sfide, para mediave së bashku me trajnerin, ka dale edhe mesfushori i shkodranëve, boshnjaku Elvedin Heric. Ky ka folur për aventurën në Shqipëri, ku tha se është i lumtur me atë që ka gjetur në vendin tonë. I pyetur për të ardhmen, Heric tha se mendon vetëm për të tashmen dhe të japë më të mirën tani.
“Jam i lumtur sepse po e shijoj shumë aventurën në Shqipëri, njerëzit në qytetin e Shkodrës janë të sjellshëm dhe më mbështesin. Jam i kënaqur me jetën këtu.
Çdo ndeshje është e rëndësishme dhe duhet të tregojmë maksimumin në përpjekjet tona dhe më pas të festojmë me fansat tonë. Por, është ndeshje e fortë dhe shpresoj që gjithçka të shkoj mirë.
Pritshmëritë e mia janë shumë të larta dhe kam qëllim t’i tregoj vetes dhe gjithë skuadrës se jam i gatshëm të luaj. Nesër kam mundësinë për të luajtur, unë do të jap më të mirën.
Jam tërësisht i fokusuar te Vllaznia dhe nuk mendoj për atë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Dua të jap maksimumin tim këtu.", u shpreh Heric.



