
Shqipëria ka çelur sot kampionatin Evropian U21 të Taekwondo’s që zhvillohet për herë të parë në vend.
Në ceremoninë e hapjes në Parkun Olimpik “Feti Borova”, ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, u shpreh se Shqipëria edhe në sportin e e Taekwondos, ka bërë sërish progres të dukshëm.
Më vjen mirë të them se Shqipëria e ka kapur ritmin e suksesit për sa i takon numrit të lartë të sportistëve të suksesshëm, qoftë për sa i përket organizimit të aktiviteteve mjaft prestigjioze, duket dëshmuar që Shqipëria ka potencialin e duhur, infrastrukturën e nevojshme për këto organizime sportive në nivel evropian dhe më gjerë.
Edhe në sportin e Taekwondos Shqipëria ka bërë sërish progres të dukshëm. Kjo dëshmohet qartë nga numri i lartë i kampionëve tanë, disa prej tyre kampionë ballkani, të cilët kanë marrë medalje ari, bronzi dhe argjendi.
Ky aktivitet me pjesëmarrje të 450 sportistëve nga 36 shtetet e Evropës e dëshmon progresin e sportistëve dhe vetë Federatës Shqiptare të Taekwondos.
Shqipëria merr pjesë me 8 sportistë, 7 djem dhe një vajzë, nga të cilët Ernest Merdanaj, Ardit Hakcani dhe Enisa Shaba janë pretendentët kryesor.
Kampionati Evropian U21 në Taekwondo, zhvillohet në Tiranë, nga data 27-30 shtator.



