
Trajneri i Partizanit, Orges Shehi, foli në konferencë për shtyp, në prag të finales së madhe për titullin kampion ndaj Egnatias.
Shehi deklaroi se është ndeshja më e rëndësishme e sezonit dhe fituese do të jetë skuadra që gabon më pak.
Sipas tij, do të jetë një ndeshje spektakolare, ndërsa ndër të tjera theksoi se lojtarët duhet të japin më të mirën për të fituar ndaj Egnatias.

Është ndeshje e fundit dhe më e rëndësishmja, pasi vendos skuadrën kampione. Është një finale që vë përballë dy ekipet më të forta dhe triumfuese do të dalë ekipi që gabon më pak. Protagonistët në fushë janë lojtarët, ndërsa trajnerët i udhëheqin ato. Aktorët më të rëndësishëm janë futbollistët dhe mënyra se si do e interpretojnë lojën.
Janë të pakta finalet që skuadrat dominojnë të gjithë takimin. Episodet mendoj se do të bëjnë diferencën. Egnatia është skuadër serioze dhe ne do të japim më të mirën për të fituar. Kemi një president që nuk lodhet kurrë, kemi tifozët më të mirë dhe lojtarët më të shkëlqyeshëm.
Dy ekipe me pikë të barabarta, sfida e fundit dhe mendoj se kjo finale do të jetë spektakolare. Fjala finale është e madhe dhe mendoj se duhet ta fitojmë me tru dhe këmbë.
Jam ende në garë për të fituar titullin dhe sigurisht se të arrish deri këtë është kënaqësi. Kur je kaq afër sigurisht që dëshiron të jesh në fund ai që feston. Duhet përqendrim maksimal dhe koha ikën dhe ajo që mbetet është trofeu.



