Pavarësisht se Gerti Shima ka vendosur të largohet nga basketbolli i luajtur, ai nuk mund të qëndrojë dot larg sportit. Vetëm pak ditë më parë, Shima u prezantua në një detyrë të re, atë të sekretarit të përgjithshëm në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar. Në lidhje me këtë detyrë të re, ai ka folur në emisionin “Sport Zone” në MCN TV. Ai tha se propozimin e marrë nga presidenti Fidel Ylli e pranoi menjëherë pa hezituar, ndërsa shton më tej se i pëlqen kjo aventurë e re, pasi veten e ka parë gjithmonë më shumë në anën administrative sesa si një trajner.
“Duke luajtur sport për 23-24 vite, gjërat e sportit nuk më lodhin. Është një profil ndryshe. Nuk jam më pjesë vetëm e basketbollit, por i të gjithë sporteve. Besoj se gjërat do ecin mirë. Jam i emocionuar, sepse erdhi në një moment surprizë. Nuk jam larguar ende nga basketbolli zyrtarisht. Jam mësuar të jem strikt për gjërat që marr përsipër dhe nuk mund t’i bëj dot të dyja.
Kur më bënë propozimin, përgjigjja ishte direkt pozitive. Po të kthehemi pak prapa, në 4 vitet e kaluara, presidenti i KOKSH, pavarësisht se ishte pjesë e politikës, është marrë me sportin. Edhe në KOKSH ka filluar një erë e re, pa hedhur poshtë atë që kaloi.
Veten gjithmonë e kam parë në pjesën administrative, nuk e kam parë asnjëherë si trajner. Është sfidë për mua dhe për KOKSH. Do më duhet pak kohë dhe më pas do shtrihen gjërat ashtu siç duhet dhe do bëjmë gjëra të mira.
Ramë dakord me Fidel Yllin për të marrë këtë detyrë. Ishte një sfidë. Nuk e kisha menduar kaq herët këtë, por ishte një propozim që nuk mund ta refuzoja.
Për momentin ka shumë gjëra dhe unë çdo ditë po futem në brendësi të punës. Është një analizë që bëhet gjithmonë pas Lojërave Olimpike, si shkuan gjërat dhe çfarë mund të përmirësojmë për të ardhmen.
Bursat funksionojnë në mënyrë të tillë, që Federatat seleksionojnë sportistët më të mirë për Lojërat Olimpike. Këto dërgohen te KOKSH dhe më pas te Komiteti Europian dhe pastaj bëhet seleksionimi.
Janë gjëra të shkruara nga ata atje dhe jo nga ne, na vijnë gati. Ajo bëhet në bazë të rezultateve që arrihen. Nuk mund të çojmë një sportist që nuk e meriton aty. Bursën e përfitojnë të gjithë që ishin në Olimpiadë. Bursa nuk është shumë fikse, pasi është në bazë të rezultateve që merr.
Kur mora detyrën e re, ishte emocionuese. Duke ditur se si ka shkuar karriera ime, me ulje dhe ngritje, kam qenë i drejtë, i kam dalë ballë gjërave vetë dhe mendoj që e njëjta gjë do të ndodhë me këtë detyrë të re. Ka shumë bryla. Ka njerëz që të duan të mirën dhe jo të mirën.
Do mundohemi që si Komitet, për ato që kemi mundësi t’i bëjmë. Të vetëm nuk bëjmë dot asgjë, pa pasur ndihmë. Kemi disa sportistë për lojërat dimërore. Kemi mundësinë që të dërgojmë më shumë sportistë se herët e tjera. Shpresojmë që të kemi 3 apo 4 sportistë në këto lojëra, do ishte sukses.
Në 2009 kemi marrë pjesë në lojërat mesdhetare me ekipin e basketbollit. Të shkosh deri në Olimpiadë duhet të kalosh shumë shkallë. Nuk dua të bëj këtë pjesën që kemi ardhur ne dhe kemi futur një frymë tjetër. Deri tani gjërat po shkojnë mirë. A ka vend për përmirësim? Padyshim që ka shumë.”, u shpreh Shima.



