Dhuna dhe tmerri kanë pushtuar futbollin meksikan. Në ndeshjen mes Queretaro dhe Atlas, janë regjistruar skena të shëmtuara, ku tifozët vendas kanë sulmuar kundërshtarët e tyre, gjatë pjesës së dytë të ndeshjes.
Pasi u futën në fushë, tifozët vendas iu drejtuar tifozëve kundërshtarë, duke i sulmuar ashpër, diçka që ndodhi edhe jashtë stadiumit.
Sulme makabre nga vendasit, që nuk u kursyen, duke goditur me mjete prerëse, shkopinj apo edhe stola, çdo person që i dilte para. Dhuna nuk u ndal as ndaj fëmijëve që kanë parë momente tmerri, ashtu si prindërit e tyre.
Mediat meksikane raportojnë të paktën 17 viktima deri tani, ndërsa numri i të plagosurve është akoma edhe më i madh. Pamjet janë me të vërtetë të rënda, teksa kjo sjellje në ligën meksikane është e përsëritur. Viktimat më të shumta janë nga tifozët e Atlas, me policinë që nuk ka mundur dot të frenojë brutalitetin e shfaqur. Sfida është pezulluar dhe priten sanksione të forta, me shumë persona që kanë kërkuar përjashtimin e Meksikës nga Kupa e Botës 2026 si një nga organizatoret.



