Ndryshe nga sa ishte parashikuar, në datën 12 shtator, kampionati i Kategorisë Superiore nuk do të luhet. Kjo për shkak të mospërmbushjes nga ana e qeverisë të kërkesave që kanë ngritur Liga e Klubeve Shqiptare të Kategorisë Superiore. Në mbledhjen e radhës, e zhvilluar në Minsk të Bjellorusisë, ku morën pjesë 9 klube nga 10 gjithsej, klubet kanë vendosur të vijojnë betejën për plotësimin e katër kërkesave drejtuar qeverisë një muaj më parë.
Kërkesat
a. Të ulet TVSH në masën 6%.
b.Të falen gjobat dhe kamatëvonesat e detyrimeve tatimore, fiskale e të sigurimeve të prapambetura.
c. Efektet e pezullimit të tatimit mbi të ardhurat personale të lojtarëve, të shtrihen nga 2 në 10 vite.
d. Të miratohet Ligji i vërtetë i Sponsorizimeve, në vend të mashtrimit të qeverisë, që sot propagandohet si ligj
Liga e Klubeve Shqiptare të Kategorisë Superiore fton qeverinë, në tavolinën e bisedimeve. Në të kundërt, ata paralajmërojnë se nuk do të tërhiqen nga bojkoti i kampionatit.
“Ne do të protestojmë me qytetari e vendosmëri në bulevardet e Shqipërisë dhe nuk do të kthehemi më në fushat e blerta të stadiumeve, pa u përmbushur të katër kërkesat tona. Ne do të bëjmë të njohur për opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar gjendjen katastrofike të klubeve shqiptare për shkak të politikave të gabuara e të papërgjegjëshme të shtetit dhe qeverisë shqiptare”, thuhet në deklaratën e lëshuar për mediat në fund të mbledhjes.



