Kapiteni i Feyenoord, Jens Toornstra, ka folur në konferencë për shtyp, një ditë para finales në Conference League, që skuadra e tij do të luajë ndaj Romës.
Në fjalët e tij, Toornstra, u shpreh se skuadra duhet të jetë e përqendruar dhe të tregojnë shpirt ekipi, për të marrë trofeun në fund.
Nuk ka shumë ditë që e kemi luajtur ndeshjen e fundit, por ishim në gjendje të përqendroheshim, çdo gjë po na shkon shumë mirë. Moment i mrekullueshëm, por duhet të luajmë finalen e këtij turneu. Shpresojmë që çdo gjë të jetë e mrekullueshme pas 24 orësh.
Duhet të përqendrohemi të luajmë futboll, gjërat e tjera janë organizuar shumë mirë, nuk më takon mua të komentoj fjalët e Mourinhos. Shpresoj të jetë një ndeshje e kënaqshme, por rezultati do të jetë shumë i ngushtë. Shpresoj të fitojmë.
Marseille ka qenë një kundërshtar i vështirë. Tani do kemi përballë një kundërshtar të mrekullueshëm si Roma. Rëndësi ka të luajmë siç kemi bërë deri tani. Duhet të jemi të përqendruar dhe të kemi shpirt ekipi. Sigurisht që ka rëndësi në fund të fitojmë.
Tifozët e Feyenoord-it në Tiranë? I kemi parë, është gjë shumë e mirë që ata ndodhen këtu për të na mbështetur.



