
Federata Shqiptare e Fubtollit ka reaguar pasi Gjykata e Tiranës vendosi të mos njoh zgjedhjet e datës 7 shkurt.
Përmes një njoftimi për shtyp, FSHF pranon mos plotësimin e dokumentacionit dhe thekson se do t’i ridrejtohet gjykatës pasi të plotësohet dokumentacioni i kërkuar.
“FSHF njofton opinionin publik se nga Gjykata e Tiranës nuk ka një vendim refuzimi apo konstatimi të paligjshmërisë së zgjedhjeve të fundit të organeve drejtuese të FSHF.
Ky vendim ka të bëjë vetëm me kthimin e kërkesës, për shkak të plotësimit të disa dokumentave shtesë që ka kërkuar gjykata. Pasi të plotësohet dokumentacioni i kërkuar FSHF do ti ridrejtohet gjykatës për depozitimin e dokumenteve që parashikon Ligji.
Kjo praktikë në Gjykatë ka të bëjë vetëm me rregjistrimin e akteve. Legjislacioni në fuqi kërkon që këto akte të rregjistrohen në Gjykatën e Tiranës, dhe nga ana e saj, gjyqtarja e çështjes ka kërkuar vetëm disa plotësime në dokumentacionin e kërkuar, të cilat shumë shpejt do ti vihen në dispozicion”, thuhet në komunikatën e FSHF-së.



