
Duke qenë se merkatoja e janarit është shumë afër , drejtuesit e Milanit vijojnë të insistojnë për përforcimin e krahut të majtë të mbrojtjes.
Një ndër të preferuarit e Stefano Piolit është Juan Miranda, i cili konsiderohet një alternativë cilësore në mungesë të Theo Hernandezit.
Flitet se marrëveshja mund të arrihet për 9 milionë euro, shifër lehtësisht e përballueshme nga kuqezinjtë.
Një avantazh i italianëve në këtë rast është se kontrata e 23 vjeçarit me ‘’ Los Verdiblancos ‘’ skadon në 30 qershorin e 2024-tës dhe kjo periudhë do ti japë shansin andaluzëve për tu fuqizuar me largimin e nxënësit të Manuel Pellegrinit nga ‘’ Benito Villamarin ‘’.
Seria A ndër vite ka rezultuar një opsion atraktiv për shumë lojtarë, kampionat ndër më të famshmit e Europës, sidomos kur bëhet fjalë për skuadra të këtij niveli, aspiruese për fitimin e trofeve të rëndësishëm në çdo sezon.
Deri në këtë moment, ishi i Schalke 04 numëron 10 sfida me Real Betisin, një kockë e fortë në La Liga dhe Europa League.



