Partizani është rikthyer tek fitorja, pas barazimit që mori javën e shkuar kundër Kukësit. 15-herë kampionët e vendit fituan me rezultatin e pastër 2-0 kundër skuadrës së Lacit në sfidën e javës së 15-të që u luajt në stadiumin “Loro Borici”. Një 90-minutësh që u dominua nga të kuqtë përballë një Laçi që vijon të marrë rezultate negative. i pari që zhbllokoi rezultatin ishte sulmuesi Ekuban që realizoi me kokë pas një krosi perfekt të Lorenc Trashit. Goli i sigurisë erdhi në pjesën e dytë me argjentinasin Torassa që shënoi nga pika e bardhë e 11-metërisht i cili ishte dhe goli i tij i parë me fanellën e Partizanit. Pas kësaj fitoreje të kuqtë renditen në vendin e tretë me 28-pikë të grumbulluara.
Ndërkohë Kukësi merr i vetëm kryesimin e kampionatit pas fitores që mori në “Zeqir Ymeri” kundër ekipit të Flamurtarit. Verilindorët triumfuan me rezultatin e ngushtë 1-0 falë golit të shënuar nga sulmuesi Emini. Një fitore e vështirë kjo për skuadrën e drejtuar nga Ernest Gjoka pasi vlonjatët i vunë disa herë në vështirësi vendasit. Një fitore e rëndësishme që e ngjit Kukësin të vetëm në krye të klasifikimit me 31-pikë të grumbulluara, duke lënë pas Skëndërbeun me 29-pikë.
Në sfidat e tjera Luftëtari surprizoi me fitoren që mori në transfertë përballë Vllaznisë. Një sfidë ku u shënuan 5-gola por që fitorja shkoi te gjirokastritët që janë surpriza e këtij sezoni me ndeshjet mjaft të mira që ka zhvilluar.
Takimi tjetër mes Tiranës dhe Korabit përfundoi në barazimin 1-1. Një tjetër hap fals i 24-herë kampionëve të vendit në kampionat që nuk arrijnë të fitojnë prej katër javësh.



