Trajneri Emiljano Çela, dha dorëheqjen nga drejtimi i Kastriotit, pas humbjes ndaj Tiranës.
Përveç Çelës, nga krutanët është larguar edhe zv.trajneri Bekim Kuli. Në këtë situatë, drejtuesit e Kastriotit u vunë në lëvizje për të gjetur trajnerin e ri, të cilin e kanë zyrtarizuar ditën e sotme.
Nëpërmjet një komunikate në faqen e klubit, Kastrioti njofton se drejtimi i skuadrës i është besuar Shkëlzen Rustamit, i cili rikthehet te krutanët pas afro një viti.
NJOFTIMI I KLUBIT:
Kastrioti njofton se Emiljano Çela nuk është më trajner i ekipit tonë. Çela ka paraqitur dorëheqjen e parevokueshme pas humbjes ndaj Tiranës, duke e mbyllur bashkëpunimin me ekipin tonë. Krahas trajnerit të parë edhe ndihmësi i tij Bekim Kuli e ka mbyllur bashkëpunimin me KS Kastriotin pas kësaj ndeshje. Klubi i falënderon Çelën dhe Kulin për kontributin e dhënë dhe i’u uron suksese në karrierën e tyre.
Ditën e sotme, skuadra është stërvitur nga Shkëlzen Rustami i cili është rikthyer në klub pas afro një viti. Rustami do të mbajë postin e zëvendës trajnerit, por deri në emërimin e trajnerit të ri do të drejtojë edhe skuadrën si trajner i parë.



