
Ish-lojtari i Kombëtares, Ermal Tahiri, në emisionin “Skaner” në MCN TV, bëri një analizë të ndeshjes mes Tiranës dhe Partizanit, që u mbyll me fitoren e bardhebluve 0-2.
Tahiri u shpreh se Tirana dhe trajneri Shehi meritojnë komplimente, ndërsa shtoi se edhe zëvendësimet u bënë në kohën e duhur.
Ishte një ndeshje e bukur për tu parë dhe me ritëm. Sot nga të dyja skuadrat kishte ritëm dhe luajtën hapur. Tirana ishte më kompakte. Në mesfushë kanë lojtarë shumë cilësorë. Dinë të menaxhojnë lojën, edhe me 10 lojtarë. Te Partizani, kemi atë vrullin e lojtarëve që vrapojnë në fushë, por lojtarët e Tiranës ishin të përgatitur.
Rrapaj, ngadalëson shumë lojën. Nuk i jep shpejtësinë e duhur Partizanit. Të dy gola, flasin për 40 dhe 60 metra ecje të lojtarit. Në asnjë moment, mbrojtja e Partizanit, nuk dubloi për të mbrojtur. Pas golit, kishim 20 minuta që Partizani dominoi dhe iu afrua golit, por Tirana mbrohej shumë mirë. Komplimente Tiranës dhe trajnerit. Zëvendësimet u bënë në kohën e duhur dhe ashtu siç duheshin.



