Ishte njoftuar prej kohësh, por tashmë ka ardhur edhe zyrtarizimi. Portieri francez, Mike Maignan është lojtari më i ri i Milanit. Ka qenë vetë klubi kuqezi, që nëpërmjet një komunikatë të bërë, ka njoftuar arritjen e marrëveshjes me 25-vjeçarin, me të cilin kanë firmosur një kontratë 5-vjeçare dhe përveç kampionatit, do mbrojë portën e Milanit edhe në Champions League.
Maignan në sezonin e fundit ishte pjesë e Lille në Francë, me të cilët fitoi edhe titullin kampion, duke lënë pas gjigandët e Paris Saint-German. Francezi te Milani do të marrë vendin e të larguarit Gianluigi Donnarumma. Portieri italian ishte në përfundim të kontratës me “Djallin” dhe vetë drejtori i kuqezinjve, Paolo Maldini në një intervistë për kanalin e klubit ka thënë se rrugët mes palëve janë ndarë. Kujtojmë se në sezonin e ardhshëm, Milani do të luajë në Champions League, aty ku mungonin prej 7 vitesh.



