
Edin Dzeko u transferua te Interi në merkaton e verës nga Roma, për të zëvendësuar të larguarin Romelu Lukaku.
Boshnjaku po tregon një formë të mirë me zikaltrit e Milanos, por karriera e tij mund të kishte marrë një tjetër rrjedhë, para disa viteve, kur ai nisi shkëlqimin në Europë.
Pasi kishte fituar titullin kampion me gjermanët e Wolfsburg, Dzeko ishte në orbitën e klubit të Milanit. Administratori i kuqezinjve, asokohe Adriano Galliani e pëlqente shumë sulmuesin dhe e dëshironte me çdo kusht në skuadër.
Sipas asaj që zbulon “La Gazzetta dello Sport”, Milani i kishte bërë të ditur boshnjakut asokohe se do të bënte gjithçka për ta marrë në “San Siro”. Gjithçka ishte thuajse e kryer, aq sa Galliani kishte shkuar në Sarajevë, ku qëndroi për 3 ditë, për të firmosur kontratën me lojtarin.
Megjithatë në fund ishte Wolfsburg që bllokoi gjithçka, duke mos e lejuar kalimin e Dzeko në Milano, pavarësisht se marrëveshja dukej e mbyllur.



