
U luajtën ditën e sotme dy ndeshjet e fundit për Abissnet Superiore. Si asnjëherë më parë në këtë fillim të kampionatit, të gjitha ndeshjet u mbyllën në barazim.
Laçi dhe Kukësi u ndanë në një barazim emocionues 2-2, në një sfidë të luftuar nga fillimi deri në fund. Kështu verlindorët e Longo ndalen për herë të parë në këtë kampionat, me fitoren që iu iku nga duart në fundin e takimit.
Kukësi kaloi në avantazh të dyfishtë, falë golave të Milunovic në minutën e 30 dhe Basa në minutën e 58. Megjithatë kurbinasit nuk u dorëzuan për asnjë moment dhe ia dolën të marrin 1 pikë. Zarubica ishte heroi i Laçit, teksa realizoi dopietë golash në minutat 69 dhe 90+5. Kukësi mbetet në krye të tabelës me 7 pikë, ndërsa Laçi i parafundit me 2 pikë.
Në barazim është mbyllur edhe sfida mes Egnatias dhe Skënderbeut. Përballja në Rrogozhinë përfundoi me shifrat 1-1. Pedro kaloi në avantazh skuadrën e Maganit në minutën e 16-të, ndërsa vetëm 2 minuta më vonë Berisha barazoi shifrat për Skënderbeun.
Në fundin e takimit, Egnatia kishte mundësinë të kalonte në avantazh me Gadi, por ky i fundit u ndal nga Rexhepi, që shpëtoi korçarët.



