
Më 10 dhjetor, do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” ceremonia hapëse, për projektin “Ekipet sportive”. Në lidhje me këtë, në emisionin “SportZone” në MCN TV, ka folur presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli.
Ky i fundit u shpreh se ka qenë një rrugëtim i vështirë, ndërsa shtoi se ceremonia ishte menduar për më 8 dhjetor, por u shty për shkak të mungesës së kryeministrit Edi Rama.
Nesër do jetë ceremonia e hapjes, pavarësisht se projekti ka kohë që ka nisur. Ka ardhur momenti, janë krijuar të gjitha ekipet, kanë marrë uniformat. Janë 700 ekip në të gjithë Shqipërinë. Ideja ishte që ta bënim më 8 dhjetor, kur ishte “Dita e rinisë”, por për shkak të mungesës së kryeministrit, që nuk ishte këtu, vendosëm ta bëjmë më 10 dhjetor.
Ka qenë një fushatë e vështirë. Kemi marrë uniforma me masa të detajuara, për çdo ekip dhe sportist. Unë i qetë do të jem vetëm në varr. Qetësi nuk do ketë kurrë, nëse do të bësh gjëra të bukura për vendin. Sapo ka filluar ky projekt, por nuk do ndalojë më. Kemi marrë lajmin që do të jetë edhe për vitin tjetër.
Gjithashtu, Ylli u shpreh se ky projekt fillon me basketbollin dhe volejbollin, për shkak të infrastrukturës.
Kjo nuk është monpol i volejbollit dhe basketbollit. Qëllimi pse filloi me këto, është infrastruktura sportive. Nuk ka lidhje pasioni i kryeministrit, të ishte për pasion, bëja mundjen unë. Ka lidhje me palestrat, që në Shqipëri janë 446 palestra shkollash. Ky është kushti kryesor për të pasur një ekip.



