
Trajneri i Skënderbeut, Migen Memelli, ka folur para mediave, në prag të sfidës që skuadra e tij do të luajë ditën e nesërme ndaj Vllaznisë. Tekniku pogradecar, tha se ka besim te skuadra e tij për një rezultat pozitiv.
Më tej Memelli shtoi se Skënderbeu i vërtetë do të shikohet atëherë kur të kthehen të gjithë lojtarët nga dëmtimet, ndërsa tha se nuk e mendon në asnjë moment rënien nga kategoria.
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme në këtë pikë të sezonit, ku më tepër se kurrë na duhen pikët se loja e mirë. Besoj se qëllimi kryesor për ne kur të hymë në fushën e lojës është marrja e pikëve maksimale. Edhe në kushtet që kemi mungesa sepse si staf transferojmë një klimë pozitive edhe tek ata lojtarë që u jepet mundësia për tu futur në fushën e lojës.
Duhet t’i marrim ndeshje një nga një, gjëja e fundit që mund të mendoj është rrëzimi në Kategorinë e Parë. E them me bindje se kur të plotësohet klubi, do ta shikoni sesa solide do jetë skuadra dhe çfarë rezultatesh do kemi. Në këtë pikë mendoj se është momenti që të japim maksimumin. Jemi të ndërgjegjshëm që situata duhet të përmirësohet për të pasur një rritje psikologjike në javët në vazhdim.
Nëse bëjmë një rezultat mirë nesër, që është fitorja, pa diskutim mendoj që ana psikologjike do rritet. Pastaj gjendja e skuadrës do të jetë më e mirë dhe duke përballuar javët në vazhdim. Janë shumë javë për tu luajtur dhe çdo javë është e rëndësishme. Duke pasur besimin që gjërat do ndryshojnë, mendoj që edhe situata në klub do të ndihmojë.
Në këtë pikë do tregoja mungesë respekti nëse flisja për Vllazninë. Çdo skuadër ka planet e veta. Mendoj që për nga kultura sportive, jemi dy qytete të përafërta dhe besoj që nesër do të zhvillojmë një ndeshje të pastër dhe shpresojmë të dalim fitues.
Gjithmonë lojtarët më japin besim dhe ec gjithmonë me optimizëm. Unë jam njeriu i fundit që mund të dorëzohet në këtë klub.”



