Mesfushori Endri Çekiçi është shprehur se në Kombëtare vjen për fanellën dhe thotë se pavarësisht nëse do të luajë apo jo, ai gjithnjë do të japë maksimumin. Në konferencën për shtyp ditën e sotme, pogradecari tha se Shqipëria sipas tij e ka ndryshuar stilin e lojës dhe tashmë është më sulmuese.
“Në pjesën e parë kemi bërë ndeshje të mirë edhe me Poloninë. Na tha trajneri në pushim dje që mos bënim të njëjtat gabime se mund të na përsëriteshin të njëjtat gjëra. Besoj se kemi një grup me lojtarë të talentuar dhe mendoj se në vitet e ardhshme do kemi ekip kompetitiv jo vetëm në rajon, por edhe në botë.
Natyrisht që çdo lojtar do të luajë, por e rëndësishme është që të jesh pjesë e grupit, vjen gradualisht, edhe nëse nuk luaj do bëj maksimumin. Vij këtu për fanellën. Nuk na vendos në trysni kundërshtari sepse e dimë çfarë cilësish kemi, besojmë te lojtarët dhe mund të arrijmë vendin e dytë në grup. Ka shumë lojtarë të rinj dhe këtu do e shohim njëri-tjetrin për shumë vite. Në ndeshjet në vazhdim hap pas hapi loja do vijë duke u përmirësuar.
Goleadë ndaj San Marinos? Do ishte ekstra, por në fillim tri pikët kanë vlerë. Besoj se kemi ndryshuar stilin e lojës, jemi më ofensivë, do hyjmë për të shënuar”, u shpreh Çekiçi.



