
Ish-portieri i Milani-it Gianluigi Donnarumma, me të përfunduar të Kampionatit Evropian, tashmë është gati të bëjë valixhet për tu nisur drejt kryeqytetit francez, ku do të bëhet pjesë e skuadrës Paris Saint German.
Donnarumma, para ca javësh kishte arritur marrëveshje më klubin parisien dhe do të jetë një transferim i lirë, pasi që refuzoi të zgjatë bashkëpunimin me klubin e Milan-it, për arsye financiare.
Ish-portieri i Rossonerëve donte të shpjegonte zgjedhjen e tij me një video, që festonte vitet e tij në Milan dhe me një shkrim të gjatë që tregonte vendimin e tij.
“Disa zgjedhje janë të vështira, por ato janë pjesë e rritjes së një burri”, shkroi fillimisht Donnarumma në profilin e tij në instagram.
“Fillova të luaj në Milan kur isha pak më shumë se një fëmijë. Për tetë vjet e mbajta këtë fanellë me krenari, luftova, vuajta, fitova, qava, u gëzova, së bashku me shokët e mi të skuadrës, trajnerët e mi, të gjithë ata që kanë bërë dhe janë pjesë e klubit, së bashku me tifozët tanë që janë pjesë integrale e asaj që ka qenë një familje për shumë vite”, shtoi ai.
21-vjeçari debutoi me fanellën e Milan-it në moshën 16-vjeçare, kur trajner ishte Sinisha Mihajlovic.
“Gjithashtu arrita qëllime të rëndësishme personale, të tilla si debutimi im në moshën 16 vjeç në Serie A. Kam jetuar vite të jashtëzakonshme që kurrë nuk do t’i harroj. Tani ka ardhur koha për të thënë lamtumirë, një zgjedhje që nuk ishte e lehtë, dhe sigurisht që nuk mjafton një postim për ta shpjeguar atë, ose ndoshta as nuk mund të shpjegohet sepse ndjenjat më të thella vështirë se mund të përkthehen me fjalë. Të gjithë kuqezinjtë që takova, nga dita e parë deri te e fundit, do të mbeten gjithmonë në zemrën time. Dhe me gjithë zemër uroj të gjitha të mirat për Milan-in në të ardhmen”, përfundoi Donnaruma.
Donnarumma ishte pjesë e klubit kuqezi, që nga viti 2015, i cili deri më tani ka mbrojtur portën e Milan-it për 251 ndeshje në të gjitha garat.
Ish-portieri i Milan-it, u zgjodh lojtari më i mirë në Euro 2020, ku bashkë me Italinë, fituan Kampionatin Evropian.




