Kroatët e Dinamo Zagreb, ku aktivizohet edhe futbollisti i Kosovës, Lirim Kastrati, do të luajnë në “play off” të Champions League, ndaj moldavëve të Sheriff Tiraspol.
Ndeshja e parë është planifikuar të zhvillohet të martën e 17 gushtit në Moldavi. Para kësaj sfide, moldavët i kanë bërë të ditur kundërshtarit se një nga lojtarët e Dinamos nuk mund të luajë në sfidën e parë.
Bëhet fjalë pikërisht për Kastratin. Moldavia nuk jep vizë për futbollistin, pasi nuk e njeh Kosovën si shtet. Menjëherë pas kësaj, Dinamo Zagreb është drejtuar në UEFA, për të kërkuar zgjidhjen, pasi nuk mund të lejohet përfshirja e politikës në sport.



