Shqipëria U-17 për femra, e ka nisur me fitore aventurën në raundin kualifikues të Europianit për moshat U-17. Vajza kuqezi, mposhtën minimalisht Azerbajxhanin, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”.
Shqipëria e nisi mirë ndeshjen dhe u shfaq vazhdimisht rrezikshëm para portës së Azerbajxhanit. Dominimi shpërblehet në minutën e 37-të kur Klaudia Borci arrin të shënojë golin e avantazhit me një gjuajtje nga afër duke zhbllokuar ndeshjen dhe duke fiksuar shifrat në 1-0. Edhe pas golit Kombëtarja shqiptare vazhdon të luajë në sulm, duke e mbajtur Azerbajxhanin në pjesën më të madhe të tërhequr.
Edhe në pjesën e dytë Shqipëria është më superiore, duke krijuar raste të pastra për shënim me Muçën dhe Cokën, që nuk arritën ta mposhtnin portieren Isayeva. Gjithsesi, përfaqësuesja kuqezi arrin të ruajë avantazhin deri në fund, duke ruajtur avantazhin 1-0 deri në vërshëllimën finale.
Në ndeshjen tjetër të Grupit 3 të luajtur më herët në stadiumin “Egnatia” të Rrogozhinës, Skocia U-17 mundi Maqedoninë e Veriut U-17 me rezultatin e thellë 9-0.



