Një nga lojtarët më të mirë të tenisit në botë, Novak Gjokoviç deklaroi të premten se do të dhuronte një milion euro për të ndihmuar Serbinë, vendin e tij të lindjes, për të blerë aparatë respiratorë dhe pajisje të tjera mjekësore për të luftuar kundër koronavirusit.
Deklarata e tij erdhi gjatë një konference me video nga qyteti Marabella, në jug të Spanjës, ku ai dhe familja e tij po qëndrojnë aktualisht nën urdhërat e vendosura nga qeveria spanjolle për “shtetrrethim”.
Gjokoviç, deklaroi se shuma e dhuruar do të shkojë për blerjen e aparateve respiratore dhe pajisjeve të tjera sanitare që do ndihmojnë për shpëtimin e jetëve në Serbi.
32-vjeçari tha se po ushtrohej për të mbajtur një gjendje fizike të mirë, si dhe po shijonte këto ditë pushimesh me familjen, pasi sezoni i tenisit u ndërpre për shkak të pandemisë.
Deri me 7 qershor është pezulluar turneu si për burrat, ashtu dhe për gratë, ndërsa French Open dhe Wimbledon janë shtyrë, madje edhe mund të anulohen.
“Nuk e mbaj mend të kem kaluar kaq shumë kohë me familjen time që kur u bëra prind”, tha ylli i tenisit.
Ai nuk pranoi të bisedonte rreth tenisit me gazetarët, ndërsa u komunikoi atyre se po lexonte një libër mbi historinë e serbëve.
Gjokoviç, deklaroi se mund të postonte live në rrjetet sociale sekuenca nga stërvitja që po kryen në mjediset e shtëpisë.
Ai falenderoi Kinën për dërgimin e pajisjeve mjekësore për mjekët në Serbi, si dhe ndihmën e dhënë për të krijuar një strategji kundër Covid-19 në Beograd.
“Falenderoj Kinën nga thellësia e zemrës time dhe në emër të gjithë kombit”, tha ai.
Shtatë njerëz deri tani kanë humbur jetën si pasojë e Covid-19 në Serbi dhe më shumë se 450 persona janë konfirmuar të infektuar./France24/



