Jasir Asani nuk është më lojtari i Partizanit. Ka qenë vetë futbollisti, i cili nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se ka mbyllur aventurën me të kuqtë, teksa i ka falënderuar të gjithë për eksperiencën që ka kaluar në kryeqytet.
Ndërkohë 26-vjeçari nuk ka humbur kohë për të gjetur skuadrën e re, teksa është zyrtarizuar te Kisvarda në kampionatin hungarez. Asani ka kaluar aty si futbollist i lirë, pasi i përfundoi kontrata me “demat e kuq”.
Në sezonin e fundit me Partizanin, Asani kishte statistika shumë të mira, teksa arriti të shënojë 10 gola dhe ndihmoi shokët me 8 asiste. Kështu sezonin tjetër shkupjani do të luajë në elitën e futbollit hungarez, teksa do të jetë rival me sulmuesin e Kombëtares, Myrto Uzuni, pasi ky i fundit luan për kampionët e Ferencvaros.



