
Shqipëria në volejboll për meshkuj vazhdon të shkëlqejë. Kombëtarja kuqezi, ka mposhtur ditën e sotme Bosnjë Hercegovinën, 3-0 me sete, në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Argjendtë të Europës.
Në dy setet e para, Shqipëria, fitoi me lehtësi me rezultatin 25-16 dhe 25-17, ndërsa në setin e fundit që ishte edhe më i luftuar, kuqezinjtë triumfuan 25-21.
Kjo është fitorja e tretë radhazi për Shqipërinë që mban vendin e dytë në grupin B me 10 pikë, 1 më pak se Rumania.
Shqipëria bën një hap drejt kualifikimit në “Final four”. Ndeshjen e fundit në grup kuqezinjtë do ta zhvillojnë më 12 qershor, në transfertë ndaj Rumanisë. Kujtojmë se faza finale e Ligës së Argjendtë do të mbahet në datat 18-19 qershor në Hungari.
Ekipi kampion siguron pjesëmarrjen në Ligën e Artë të Europës për vitin 2023, ndërsa fut në kasafortë gjithashtu edhe një shpërblim financiar prej 50 mijë eurosh.



