
Duke qenë se është afër përfundimit të kontratës me Benfikën, Angel Di Marias i ka trokitur në derë Inter Miami.
Amerikanët e lideruar nga David Beckham do të tentojnë të përforcohen me argjentinasin gjatë merkatos së verës, një lojtar që ka spikatur në çdo skuadër dhe gjithashtu tek kombëtarja ‘’ Albiceleste ‘’.
‘’ El Fideo ‘’ e finalizon kontratën me portugezët në qershor dhe anglezi dëshiron të shtojë furinë në repartin e avancuar me 36 vjeçarin i cili po tregon se mosha nuk ndikon aspak kur pasioni dhe dëshira për profesionin është shumë e madhe.
Një transferim i mundshëm i sulmuesit nga Rosario në Major League Soccer do ti jepte një tjetër impakt këtij kampionati, i cili për hir të së vërtetës ka patur një progres evident, sidomos në dhjetë vitet e fundit.
Të luash përkrah Lionel Messit është një kënaqësi më vete dhe bashkombasi i tij mund të rezultojë një faktor ndihmës për arritjen e objektivave në të ardhmen.
Angel Di Maria do të mbahet mend gjatë për atë performancë të shkëlqyer në Botërorin e Katarit, i cili për më tepër shënoi edhe një gol në finalen kundër Francës.
Duhet theksuar se në këtë stad të karrierës nxënësi i Gerardo ‘’ El Tata ‘’ Martinos është shumë i privilegjuar sepse para pak kohësh e realizoi ëndërrën e fëmijërisë dhe në vijimësi do të ketë një tjetër shans për të treguar veten, në një kampionat tejet kompetitiv.



