
Federata Shqiptare e Volejbollit, ka pezulluar përgjithmonë nga e drejta për të trajnuar në volejboll, trajnerin korçar Romeo Xega.
Ky i fundit, ishte protagonist i një episodi skandaloz, ku gjatë pushimit në ndeshjen e vajzave U-18, Korça Volley-Dinamo, goditi lojtaret e tij me shpullë.
Ky rast i filmuar, ka bërë bujë të madhe dhe FSHV ka dënuar trajnerin e korçareve, duke i hequr licencën dhe pezullohet përgjithmonë nga aktiviteti.
NJOFTIMI I FSHV:
Federata Shqiptare e Volejbollit nëpërmjet Komitetit Ekzekutiv reagoi ashpër duke e konsideruar veprim të paprecedent dhunën fizike e psikologjike të ushtruar ndaj lojtareve të Korça Volley përgjatë pushimeve të lojës nga trajneri i tyre Z. Romeo Xega, i cili ka qenë disa herë objekt i Komisionit të Disiplinës pranë FSHV-së, ku është penalizuar e dënuar me masa të ndryshme disiplinore bazuar në Rregulloren e Brendshme dhe Kodin e Etikës e Disiplonës të FSHV-së.
Komiteti Ekzekutiv vendosi:
– Z. Romeo Xega i hiqet licensa e Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe përjashtohet përgjithmonë nga e drejta zyrtare për të ushtruar, drejtuar e trajnuar çdo lloj ekipi pjesë e aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombetare të FSHV-së.
Federata Shqiptare e Volejbollit është konsekuente të zbatoj me përpikmëri e të ndëshkoj këdo që thyen Kodin e Etikës e Disiplinës dhe Rregulloren Brendshme duke denigruar figurën e sportit e duke prishur imazhin e lojës së volejbollit.



